Author: Flaka Krasniqi

  • Jashari: LVV përgjegjëse për moskonstituimin e Kuvendit, Kurti me ndjesi të rreme fuqie

    Avokati Arbër Jashari ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke i cilësuar si përgjegjësit kryesorë për dështimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në një paraqitje televizive, Jashari argumentoi se ndonëse hapi i verifikimit të mandateve dhe betimi i deputetëve u krye të shtunën, Kuvendi mbetet i pakonstituuar për shkak të paaftësisë së LVV-së, si partia fituese, për të siguruar mbështetjen e nevojshme prej 61 votash, qoftë edhe nga komunitetet joserbe. Ai e quajti të papërgjegjshme hyrjen në seancë pa një marrëveshje paraprake, duke theksuar se qasja “komode” dhe “ndjesia e rreme e fuqisë” së z. Kurti kanë kontribuar në krizën aktuale institucionale, ku paqartësia midis pozitës dhe opozitës mbizotëron. Sipas Jasharit, barra për gjetjen e një zgjidhjeje i takon z. Kurti.