Haradinaj kritikon vonesat, kërkon kandidat konsensual për kryeparlamentar

Pas dështimit të seancës së sotme konstituive për të arritur ndonjë progres, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, shprehu pakënaqësi për mënyrën e menaxhimit të procesit, duke kritikuar vonesat në fillimin e seancave.

Më vjen keq që seancat nuk po fillojnë në kohë. Vonesat prej 40 minutash kanë ndodhur vazhdimisht.

Haradinaj ka shtuar se kjo tregon mungesë serioziteti. Ai pranoi se edhe në të kaluarën ka pasur negociata për postin e kryeparlamentarit.

Haradinaj theksoi se nëse Lëvizja Vetëvendosje (VV) kërkon votën e opozitës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, atëherë është logjike që të diskutohet edhe për kandidatin. “Nevojitet një kandidat më konsensual se zonja Haxhiu,” pohoi ai. “Ne kemi dhënë disa mendime se kandidatë të tjerë potencialisht mund të ishin më të votuar.”

Ai ritheksoi gatishmërinë e AAK-së për të bashkëpunuar me opozitën në gjetjen e një zgjidhjeje që do të zhbllokonte procesin dhe do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë. “Nëse VV-ja nuk i ka votat për kandidatin e vet, le të gjejë një kandidat më unifikues,” shtoi Haradinaj.

I pyetur nëse ka ndonjë lëvizje të deputetëve drejt partisë së tij, Haradinaj e mohoi një gjë të tillë, duke thënë se nuk ka zhvillime apo diskutime në këtë drejtim.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *